STUDIMET SHQIPTARO - GREKE
ΟΙ ΕΛΛΗΝΟΑΛΒΑΝΙΚΕΣ ΜΕΛΕΤΕΣ
Përshëndetje nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Prof. Dr. Muzafer Korkuti
Të nderuar zonja e zotërinj,
E nderuar znj. L. Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë,
I nderuar z. L. Rokanas, ambasador i Republikës së Greqisë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë që në emër të Akademisë së Shkencave të përshëndes këtë konferencë të dytë të Studimeve Shqiptaro-Greke, si një kontribut të ri në historinë e marrëdhënieve kulturore midis dy popujve tanë fqinj.
Kontaktet e kulturave në rrjedhë të shekujve, janë padyshim ura miqësie midis popujve, sepse çdo kulturë shpreh shpirtin e popullit të vet, rrugën e zhvillimit të tij historik dhe i shërben mirëkuptimit dhe njohjes së ndërsjellë. Popujt tanë, më të vjetrit popuj të gadishullit, kanë dhënë e kanë marrë gjatë historisë së tyre, e cila u ka rezervuar atyre edhe momente që hedhin hije në këto marrëdhënie, e që në kohën e sotme të integrimeve evropiane, me vizionin e së ardhshmes duhen lënë pas për të shikuar përpara.
Konferenca jonë ka në qendër një objekt shkencor me interes, përmasën diakronike dhe sinkronike të ndërveprimit gjuhësor e kulturor midis shqiptarëve e grekëve.
Pjesëmarrja e gjerë ndërkombëtare e studiuesve nga Shqipëria, Greqia, SHBA, Rusia e Gjermania, si dhe larmia e tematikës së referateve dhe kumtesave të parashikuara në programin e pasur të Konferencës, i japin asaj rëndësinë e një ngjarjeje në jetën tonë shkencore dhe në historinë e bashkëpunimit midis institucioneve bashkëorganizatorë të kësaj konference dhe studiuesve të nderuar pjesëmarrës, të cilët i falënderoj për angazhimin e tyre.
Duke ju falënderuar të gjithëve për praninë tuaj i uroj konferencës punë të mbarë.