STUDIMET SHQIPTARO - GREKE
ΟΙ ΕΛΛΗΝΟΑΛΒΑΝΙΚΕΣ ΜΕΛΕΤΕΣ
Përshëndetje nga përfaqësuesi i Institutit të Studimeve Neohelenike [Fondacioni Manolis Triandafilidhis],
Dr. Nikos Liosis
Të dashur pjesëmarrës të Konferencës,
Me gëzim të veçantë ju sjell përshëndetjet e ngrohta të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të hulumtuesve dhe në përgjithësi të personelit të Institutit të Studimeve Neohelenike të Universitetit Aristoteli të Selanikut, i njohur si Fondacioni “Manolis Triandafilidhis”, i cili mbështet Konferencën II Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptaro-Greke, që zhvillohet sivjet, sikundër bëri edhe para tre vjetësh kur ky institucion nisi rrugëtimin e vet.
Instituti i Studimeve Neohelenike, duke vazhduar ndihmesën e tij 50-vjeçare në studimin dhe përshkrimin e gjuhës greke nga lashtësia deri më sot, nuk mund të mos i përgjigjej edhe sivjet ftesës sëKomisionit Organizator për të mbështetur këtë përpjekje, që synon vënien në pah dhe ndriçimin e atyrepjesëve të historisë gjuhësore dhe kulturore greke të së kaluarës së largët e të afërt, që lidhen me popullin shqiptar dhe qytetërimin e tij gjuhësor.
Prania në konferencë e hulumtuesve dhe shkencëtarëve të njohur, por edhe e më të rinjve, nga Greqia, Shqipëria dhe pjesa tjetër e Evropës, Rusia dhe SHBA,dëshmon se studimet shqiptaro-greke, pavarësisht vështirësive, jo vetëm vazhdojnë, por edhe ushqehen me gjak të ri shkencor. Gjithë këtyre kolegëve Instituti u ofron me gëzim nga një kopje të “Gramatikës së greqishtes së re” të Manolis Triandafilidhis-it, përkthyer në gjuhën e tyre.
Leximi i titujve të kumtesave të sivjetme tregon rëndësinë që i kushtohet ndërveprimit gjuhësor, jo vetëm të shekujve të fundit, por edhe të dekadave të fundit, gjatë cilave ngjarjet e fundme historike çelën një krye të ri në marrëdhëniet greko-shqiptare, që e kanë
zanafillën në bashkekzistencën prehistorike të të dy popujve në Gadishullin Ballkanik.
Marrëdhëniet, afritë ose kontaktet e çdo lloji midis gjuhëve, pasqyrojnë nga njëra anë marrëdhëniet e njohura kulturore dhe historike të të dy popujve dhe nga ana tjetër përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të një bashkëjetese të vazhdueshme të të dy popujve ndër mijëvjeçarë, një bashkëjetesë, e cila, edhe kur mungojnë dëshmitë historike, ka lënë gjurmë të papërgënjeshtrueshme në të dy gjuhët.
Nga ana tjetër, greqishtja dhe shqipja, si bartës të qytetërimit të të dy popujve, përbëjnë një mjet të nevojshëm për të shqyrtuar çdo lloj marrëdhënieje dhe kontakti, në hapësira kaq të ndryshme si feja dhe krijimtaria tradicionale poetike.
Me këto mendime, anëtarët e Këshillit Drejtues, hulumtuesit dhe gjithë punonjësit e Institutit u urojmë suksese punimeve të Konferencës, me krahë të lehtë organizatorëve dhe e vazhdofshin me sukses edhe në të ardhmen!