top of page

Kumt mirëseardhjeje nga Kryetari i Lidhjes Filologjike Shqiptaro-Greke, Prof. Asoc. Aristotel Spiro

 

E nderuar Shkëlqesia Juaj Ministre e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, Zonja Lindita Nikolla,

I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasador i Republikës së Greqisë në Shqipëri, Zoti Leonidas Rokanas,

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Muzafer Korkuti,

Të nderuar akademikë dhe profesorë,

Të dashur miq,

Në emër të organizatorëve ju uroj mirëseardhjen në Konferencën II Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptaro-Greke.

Pikërisht para tre vjetësh u mblodhëm në këtë sallë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptaro-Greke, e cila ishte një dëshmi e interesimit të lartë të bashkësisë akademike për objektin dhe për krijimin e një dialogu të gjallë shkencor. Përtëritja e këtij takimi sot është konfirmim i interesimit të njerëzve të shkencës dhe të nevojës për bashkëpunim. Është konfirmim i përpjekjes së përbashkët të shkencëtarëve dhe hulumtuesve.

Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë një histori e larmishme pasioni, është historia e dy popujve me rrugëtim të përbashkët. Semiotikës së përbashkët të marrëdhënieve diakronike shqiptaro-greke iu shtuan konotacionet e dy shekujve të fundit, me birësimin e metaforave të reja etnolinguistike, shoqërore, që e zgjerojnë dhe e ndërlikojnë spektrin e argumentimeve. Nëse shtojmë këtu edhe evolucionin e skemave teorike, kuptohet madhësia e interesit shkencor.  

Grekët dhe shqiptarët, edhe pse me kode të ndryshme komunikimi – dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë ndërveprim -  ndërsa flasin dy gjuhë të ndryshme brenda familjes gjuhësore indoevropiane, ndajnë me njëra-tjetrën shumë veçori të përbashkëta, diçka që nuk ndodh shpesh në marrëdhëniet midis popujve. Këtë histori fort interesante mes këtyre dy popujve mundohen të shpjegojnë shkencëtarët e gjuhësisë, filologjisë, letërsisë, etnolinguistikës, historisë etj. Përpiqen të dekodifikojnë mesazhet që na ofron gjuha. Mesazhe ndërkohore që na ndihmojnë të kuptojmë se pse sillemi në këtë mënyrë, pse ekziston kjo ngjashmëri dhe si ka rrjedhur, pse ekzistojnë çaste të lumtura e të palumtura në komunikimin tonë. Gjuha është sfida e dekodifikimit dhe semantizimit të mesazheve në kontekstin e rrethanave të caktuara pragmatologjike. Prandaj shkencëtari nuk mjaftohet me çka duket. Poshtë mbulojës së njëjtë gjuhësore zbulon shpesh herë përmbajtje të ndryshme ose të kundërta, thelbe konceptuale që formësohen nga ndikimi i shumë faktorëve, ligjëruesve konkretë që veprojnë në një vend e kohë të dhënë dhe u japin kuptim mesazheve të realizuara, jep ndihmesën e tij në formësimin e kësaj përmendoreje madhështore, që është gjuha. Dekodifikimin e këtyre shenjave dhe kumteve e marrin përsipër filologu, gjuhëtari, të cilët shpjegojnë PSE dhe SI kemi mbërritur në këtë gjendje gjuhësore. Mund të kuptojmë se SI merr trajtë ky trup që quhet gjuhë.

Këto kumte, ky akt shkencor ka rëndësi për jetën e përditshme të njerëzve, për marrëdhëniet midis grekëve dhe shqiptarëve. Nuk ka metodë më të sigurt sesa ajo shkencore për të kuptuar problemet, por edhe për t’u dhënë atyre zgjidhje.  

Prandaj, besoj se ka rëndësi prania e sotme nderuese e faktorëve të politikës shqiptare dhe të diplomacisë greke, të cilët mbështetin moralisht këtë konferencë dhe besojnë tek vlefshmëria e përfundimeve të tij, meqenëse me të vërtetë mund të kontribuojnë në të kuptuarit dhe të zgjidhurit shkencor të problemeve.

Ju faleminderit shumë!

Anchor 2

THE GREEK - ALBANIAN STUDIES

bottom of page